Kadare si dëshmitar, nxitës dhe mësues i historisë… (Studim si Kujtesë)

1. Si e njoha Kadarenë?

Personalisht Ismail Kadarenë nuk kam pasur fatin ta takoj asnjëherë. Por letërsisht nëpërmjet mrekullisë që të dhuron leximi e kam njohur atë në disa këndvështrime. Fillimisht e njoha si rrëfimtar, si nxitës, si lexues e në fund si mësues.

Si rrëfimtar për herë të parë me historitë e Ismail Kadaresë u njoha nëpërmjet kinematografisë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe personazhi i famshëm mitik i plakës Nicë u bënë sebepi i parë. Kohën saktë nuk e mbaj mend por jam i bindur se duhet të ketë qenë diku aty nga katër vitet e para të shkollës fillore, kur në ekranin e televizionit të vetëm publik, me sytë e fëmijës, nëpërmjet aktorit të famshëm Sandër Prosi u njoha me historinë e Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur. Ishte një film që u ngulit thellë në mendjen time. Më pas studimi i leximit në shkollë më mësoi më shumë mbi plakën Nicë duke e kthyer atë në një rrëfim interesant që më nxiti më tepër drejt leximit të këtij autori duke iu rikthyer sërish kësaj vepre në një moshë që lidhej me fillimet e adoleshencës ku do të kuptoja më shumë domethënien e saj.

Duke vazhduar gërmimin në memorien time për njohjen me Ismail Kadarenë nuk mund të mos më shqitet nga mendja njohja e parë me të, vërtet si lexues. Këtë herë afërsisht kohën e mbaj mend. Ka qenë diku aty midis klasës së gjashtë dhe të shtatë fillore. Sinkronisht mund të them se Kadarenë e njoha nga Nëna dhe Princesha. Herë Nëna më kthehej në Princeshë e herë Princesha më kthehej në Nënë. Ka qenë një poezi, ajo që më njohu letrarisht me Kadarenë. Më saktë dy, edhe pse e dyta ishte poemë. Ishin vargjet dhe jo fjalët.

Një poezi me emrin “Nëna”, e cila me zemër të ngrirë priste djaloshin rebel i cili ndante traktet duke besuar tek një botë më e mirë. Djaloshi zhdukej natën, e nëna priste me zemër të ngrirë… Por ajo që do të më linte pa mend duke më bërë të dashurohesha çmendurisht pas tij ishte historia e Princeshës Argjiro. Ishte nëna ime që më dëgjonte tek i mësoja përmendësh vargjet e saj. Tek mësoja e recitoja vargjet, paralelisht nëna më tregonte dhe historinë e Princeshës së famshme…

Kështu e njoha Kadarenë…

Si fëmijë ai erdhi tek unë jo nëpërmjet një “Kronike në Gur” por përmes Nënës dhe Princeshës.

Në adoleshencë e duke vazhduar drejt viteve të pjekurisë së burrit ai erdhi tek unë më vrullshëm… Erdhi si dëshmitar, nxitës e mësues. Mbi të gjitha u kthye në një ndër shkrimtarët e mi më të preferuar. Këtë nuk ia solli fama as përgojimet, gjygjet e legjendat që i bëheshin. Këtë ia solli vepra e ajo që unë mësova dhe vazhdoj të mësoj prej tij.
***

2. Kadare dëshmitar, nxitës dhe mësues i historisë…

Të njohësh historinë ka shumë rrethana dhe motive. Kryesoret janë: së pari ta kesh jetuar atë, (të qenurit dëshmitar), së dyti të jesh nxitur për ta mësuar atë, (të jesh motivuar nga një nxitës ose mësues).

Unë mendoj se një nga shumë meritat që mund t’i jepen veprës së shkrimtarit të shquar Ismail Kadare është dhe ajo e nxitjes që ai të jep kur e lexon, për të mësuar historinë. Për këtë duke e parë Kadarenë si i studiuar, më lejoni ta konkretizoj më tej idenë time duke iu bërë një ndarje në dy degëzime por që pashmangshmërisht, sipas mendimit e gjykimit tim, shkojnë jashtëzakonisht shumë mirë me njëra-tjetrën.

Shumëkush mund ta ndajë Ismail Kadarenë në Kadare si njeri, me aktivitetin e plotë të tij jetësor dhe në Kadarenë si shkrimtar. Dikush tjetër mund ta ndajë në Kadarenë si studiues në Bashkimin Sovjetik dhe në Kadarenë si i vlerësuar nga Perëndimi. Po kështu mund ta ndajnë në Komunist e Monarkist, Disident e Pluralist, Me flamuj e Pa Flamuj, etj., etj. Personalisht gjithmonë mua më ka pëlqyer ta vështroj Ismail Kadarenë si Shkrimtar. Personalisht e kam thënë dhe e them, është Shkrimtari më i Shquar i Kohës sonë.

Dhe duke e parë si Shkrimtar unë i lejoj vetes të bëj një tjetër ndarje:

KADARE dhe VEPRA. VEPRA dhe KADARE. VEPRA është elementi katalizator nxitës, KADARE është mësuesi, nxitësi.

Për të qenë i kujdesshëm dhe korrekt me letrat, duke respektuar çdo mendim e vlerë akademike, fillimisht më duhet t’iu rrëfej se nuk jam studiues. As nuk kam mbaruar ndonjë shkollë që mund të ketë pasur lidhje me titullin e shumënderuar akademik të studiuesit. Nuk jam Akademik. Jam thjeshtë një lexues. Modestisht një lexues. Ndaj theksoj se e gjithë kjo analizë bëhet si një lexues i thjeshtë, ashtu siç e kam ndjerë dhe menduar në etapa të ndryshme të njohjes dhe rritjes me veprën e Ismail Kadaresë.

Nga të gjitha leximet që i kam bërë veprës së shkrimtarit të shquar, marr guximin të them se nuk ka vepër të Ismail Kadaresë ku nuk nxitesh për t’u njohur e për të studiuar faktet historike. Mendoj se Vepra Kadare është pashmangshmërisht e lidhur me historinë.  Çfarëdoqoftë ajo të nxit të njihesh e të studiosh historinë. Elemente të saj i has kudo, në çdo formë a gjini, rrëfim, prozë, poezi, poemë, roman, ese, analizë, intervistë, etj.

Ismail Kadare nuk është historian, fati dhe rrethanat e kanë çuar të jetoj në disa momente kyç historike për jetën e tij dhe të vendit të tij. Ai nuk është historian por askush nuk mund ta përjashtoj se ai mund të jetë katalizatori i parë nxitës drejt mësimit të historisë.

Ismail Kadare të mëson historinë tonë dhe historinë botërore.

Po përpiqem t’iua konkretizoj me shembuj konkretë ashtu siç e kam përjetuar vetë, duke i renditur hap pas hapi leximet e veprës në një kronologji me njohjen e historisë:

A. Ismail Kadare dhe Vepra e tij si nxitëse për të mësuar historinë e Shqipërisë:

Kur e lexon veprën e tij, të krijohet përshtypja se Ismail Kadare ka shkruar nga një vepër për çdo etapë e moment dominant të historisë së vendit tonë. Ai e ka bërë këtë herë drejtpërdrejtë por herë edhe në zhvendosje kohore. Ka pasur raste kur titulli i veprës lidhej drejpërdrejt me një moment dominant të realitetit pavarësisht se historia që rrëfehej brenda tij mund të ishte e zhvendosur në kohë. Kam parasysh këtu dy tituj: Romani “Piramida”, kur e dëgjova për herë të parë ishte koha e problemeve me firmat piramidale, por realisht me përjashtim të titullit kjo vepër nuk kishte asnjë lidhje me kohën konkrete të problemit me firmat piramidale.

Nqse do të bëja një kronologji nga këndvështrimi i etapave historike të Shqipërisë veprën e Kadaresë do ta rendisja si më poshtë:

  1. “Princesha Argjiro”, “Kështjella”, – ngjarje që të nxisin të mësosh për etapën e hershme të Shqipërisë deri në periudhën e rrëzimit të Perandorisë Osmane.
  2. “Viti i mbrapshtë” – ngjarje që të nxisin të njihesh me periudhën kur Shqipëria përpëlitej në kërkim të stabilitetit si shtet. (Periudha pas shpalljes së Pavarësisë).
  3. “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” – prej këtij romani mëson atë që ka ndodhur në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore. Mëson se dy superfuqi të kohës Italia e Gjermania kanë qenë dy pushtuesit tonë dhe fakte për këtë janë eshtrat e ushtarëve të tyre që iu desh të linin kockat maleve e fushave të Shqipërisë.
  4. “Nëntori i një Kryeqyteti” – mëson se menjëherë pas luftës, forca e re që erdhi në pushtet kreu shpronësimet, të krijohet hapur ideja se Shqipëria nuk do të kishte më media të lirë.
  5. “Dimri i Madh” – mëson mbi marrdhënien dashuri-urrejte me sovjetikët.
  6. “Koncert në fund të Dimrit” – mëson mbi marrdhënien dashuri-urrejte me kinezët.
  7. “Pallati i Ëndrrave” – mëson mbi tmerrin e torturës dhe funksionimit të sigurimit të shtetit.
  8. “Pasardhësi” – mëson mbi historinë e eleminimeve në krye të kupolës.
  9. “Pesha e Kryqit” – mëson për ngjarjet që sollën pluralizmin.
  10. “Tri Këngë Zie për Kosovën” – një nxitje shumë e mirë për të mësuar më shumë mbi historinë e Kosovës që nga beteja e parë në fushën e saj.

Dhe padyshim vepra më e pëlqyer dhe që të shtyn ta njohësh e studiosh komplet Shqipërinë si rrafsh historik është “Mosmarrëveshja mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”. Këtu Kadare të krijon një Enciklopedi kronologjike të gjitha momenteve më kyçe të etapave historike të shtetit tonë.

Duke lexuar Kadarenë, nuk ke se si të mos njohësh Historinë e Shqipërisë. Tek Vepra Kadare do ta gjesh historinë e Shqipërisë përmes elementeve, fakteve e personazheve. Do të njihesh aty me Mbretin Zog, Enver Hoxhën dhe personazhet e diktaturës, do të njohësh personazhe politik e të fushave të ndryshme që mund të kenë ndikuar mirë a keq në shoqërinë shqiptare. Tek Kadare do të njihesh me sistemet që ka kaluar vendi ynë. Me miqtë e armiqtë. E mbi të gjitha Kadare proklamon e të nxit të mësosh atë se ku vërtet ne të gjithë dëshirojmë të mburremi, Identitetin Europian të Shqiptarëve. Kadare nuk është historian por ai e ka promovuar fortë dhe shpesh edhe më ashpër se çdo historian këtë. IDENTITETIN TONË EUROPIAN.

B. Ismail Kadare si nxitës për të mësuar historinë e botës.

Për të mos e bërë të lodhshëm shkrimin tim, për t’i rënë më shkurt kësaj pike, shumë shkurtimisht më lejoni t’iu them se duke lexuar Ismail Kadarenë, njihesh dhe nxitesh të studiosh për historinë e qytetërimeve botërore. Tek Kadare njeh “Trojën”, njeh Perandorinë Greke, njeh Mitologjinë Greke, Romake, Egjiptiane, njeh Moskën, Pekinin, Parisin, etj. Njeh Ballkanin, Europën, Botën e shumë personalitete historikë e kyc që kanë ndikuar në shoqëritë e qytetërimet e saj.

Për t’iua vërtetëtuar këtë, pas atyre që përmenda më lartë, si referencë ju ftoj të lexoni “Përbindëshin”, “Ftesë në studio”, “Koha e Shkrimeve”, “Qyteti pa reklama”, “Eskili ky humbës i madh”, “Hamleti, Princi i vështirë”, “Darka e gabuar”, “Muzgu i Perëndive të stepës”, “Darka e Gabuar”,Veprat Kadare”, etj. etj. etj.

Si mbyllje të këtij shkrimi midis analizës dhe esesë, do të thoja se nqse do ta shikonim Ismail Kadare si i studiuar dhe si studiues një nga shumë meritat që do të na duhej t’i jepnim veprës së tij padyshim do të ishte ajo e nxitjes drejt  mësimit të historisë. Siç e thashë dhe më lartë Ismail Kadare nuk është historian por askush nuk mund të na e hedhë poshtë se padyshim ai është një ndër rrëfyesit më të mirë të fakteve të saj. Padyshim është e tepërt të thuhet që Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë. Është një Bibliotekë e gjallë enciklopedike shpirtërore e fakteve historike të vendit tonë dhe jo vetëm.

Me veprën e tij, ai të mëson shumë. Mbi të gjitha Ismail Kadare na mëson të njohim vetveten. Të dashurojmë letërsinë, të dashurojmë dijen dhe përfitimin akademik. Ai na bën të pranojmë hapur atë që është dhe që duhet të jetë gjithmonë në jetë të jetëve synimi dhe krenaria jonë. IDENTITETI YNË EUROPIAN.

Qoftë dhe vetëm për këtë ai e meriton t’i themi faleminderit.

Faleminderit që na nxit të lexojmë,
Faleminderit që na nderon,
Faleminderit që na nxit të njohim vetveten!!!

Fation Nikolla,
Institucioni Arsimor Profesional “Time Center”,
Tiranë, 18-19 Maj 2016.