MOS MË NËPËRKËMB!!! (Vëzhgim analitik)

“Perandoritë e së ardhmes, do të jenë perandoritë e dijes”, – shprehej dikur Winston Churchill, lideri largpamës britanik, në vizionin e tij për botën e pas luftës së dytë botërore. Shumë kush mund të çuditet por ndryshe nga sa mund të pritej, luani stoik i politikës britanike dhe asaj ndërkombëtare nuk kishte folur për Paranë por për Dijen. Ashtu si Themeluesi i Romës dikur, August Oktavian, edhe Churchill, dukej se këtë herë po paralajmëronte se vizioni largpamës i mendjeve njerëzore duhej të fokusohej në një tjetër devizë.

Për dikë që di të lexojë dhe të mendojë, atëherë por padyshim më aktuale se kurrë edhe sot, absolutisht që kjo është deviza paralajmëruese e një investimi të lirë, të zgjuar e të suksesshëm të individit në tregun botëror, investim i cili mund të përcaktohet si investim intelektual, që më pas do të kthehet në KAPITAL INTELEKTUAL dhe që e provuar më së miri tashmë nga shoqëritë e zhvilluara perëndimore, është një nga çelësit kryesorë të suksesit në jetën shoqërore dhe profesionale.

Në shoqërinë e lirë, tipari i parë themelues i sëcilës është tregu dhe iniciativa e lirë, unë mendoj se suksesori dhe përcaktuesi më kryesor i të gjithë zhvillimit është INDIVIDI dhe KAPITALI i tij. Duhet të pranojmë se dëshira për liri, për sukses dhe kapital janë impulset kryesore të individëve të suksesshëm në këtë sistem.

Por si e kemi (mos)kuptuar dhe si duhet ta zgjidhim ne në Shqipëri këtë?

FATKEQËSISHT MENDOJ SE NE E KEMI KUPTUAR SISTEMIN E ZHVILLIMIT TONË SI TËRËSI, SI TURMË DHE KOLEKTIVITET, SI NJË RRUGË QË SHTYHEMI TA NDJEKIM DHE JO TA ZGJEDHIM. Më lejoni t’ua argumentoj duke dhënë sipas meje edhe këndvështrimin tim për të gjetur zgjidhjen:

Së pari, duhet thënë që Individi në Shqipëri si prototip, ka ardhur nga një seri sistemesh e doktrinash të implementuara sipas liderëve dhe rrethanave të kohës. Në një prozë timen, unë kam preferuar ta quaj këtë miks historish sistemesh si “Republika e Domates” e cila herë pas here na ka kthyer në ASKUND. (Na është dashur dhe kemi dashur ta fillojmë gjithmonë nga zero).

Për t’iu futur në temë, po të kërkoni pak, do të mësoni se domatja ka një veti karakteristike shumë interesante të prodhimit të saj, ajo është një bimë njëvjeçare, jetëgjatësia e sëcilës për t’u prodhuar nuk shkon më shumë se një vit, pra nuk është stabël dhe mbi të gjitha as solide por është e preferueshme dhe e domosdoshme megjithëse është e destinuar të bjerë pas një kohe të shkurtër. Fatkeqësisht duket sikur këtë sidromë me dashje e padashje e kanë marrë dhe drejtuesit tanë në shekullin e fundit duke na e indoktrinuar si mentalitet herë pas here edhe ne. Gjithkush e ka nisur drejtimin e vendit duke e parë si një pronë personale, si një ndërmarrje personale. Kemi provuar, Mbretërinë, Diktaturën, Tranzicionin, Orientalizmin, Industrializmin, Modernizmin e PostModernizmin, e mendoj se më në fund ka ardhur koha të jetojmë me një tjetër vizion. Vizionin PostModernist të Iniciativës së Lirë. Vizionin e “Mosmënëpërkëmbjes” dhe të të kërkuarit maksimumin nga vetja me të vetmin interes: ajo që marr është ajo që do të jap. Një vizion që së pari duhet të na çojë në devizën e mos të priturit gjithçka nga shteti, por nga puna dhe mundi personal, dy ingranazhe që na çojnë të krijojmë secili një kapital tonin për ta përdorur atë në mënyrën më të mirë për të hyrë në treg e në jetë.

Këtë kapital unë do ta shikoja të ndarë në dy forma: KAPITAL INTELEKTUAL (PËRVOJË – TEORI – PRAKTIKË) dhe KAPITAL EKONOMIK (INVESTO, GRUMBULLO – REZERVO).

Unë mendoj se nqse secili prej nesh, individëve të lirë në shoqërinë e lirë do të zbatonte këto dy vlera si parime kryesore në objektivat e tij do të arrijë suksesin dhe një jetë më profesionale dhe të suksesshme.

Së dyti, personalisht mendoj se ajo që na ka bllokuar ne në zhvillimin më të shpejtë të jetës sonë është moszbatimi i një postulati shumë të thjeshtë që lind nga “Revolta e Atlasit”. Nuk duhet të humbasim kohë duke vrarë mendjen se “kush është Xhon Gallti?” por nuk duhet të NËPËRKËMBEMI.

Ne, e kemi lejuar veten tonë të nëpërkëmbemi nga tabutë dhe mentaliteti dhe këtu nuk po flas në kuptimin politik duke parë si fajtor vetëm shtetin dhe shoqërinë por edhe vetëdijen tonë intelektuale dhe individuale.

Konkretisht të gjithë ne, të paktën kam parasysh brezin tim dhe jo vetëm, (pa e përgjithësuar), kemi të ngulitur një vetëdije që shkolla është gjithçka dhe punën do ta gjejë shteti. Gënjejmë veten me letra e formalizma duke ndjekur psikologjinë e turmës. Janë të shumtë sot që zgjedhin të arsimohen në arsimin e lartë në të gjitha mënyrat, thjeshtë vetëm për psikologjinë shoqërore dhe pa asnjë objektiv. Shumë ecin me idenë që mjafton të kenë një shkollë të lartë por pak rëndësi ka se si, se çfarë dhe se për çfarë mund të hyjë në punë.

Nga përvoja vetjake personalisht ju them se tronditjen më të madhe akademike e kam pasur kur u përballa realisht me arsimin tonë të lartë. Isha aq i painformuar sa shkova tek sekretaria e shkollës dhe kërkova të blija librat, të dija orarin dhe se kush do të ishte klasa ime. Si përgjigje morra një të qeshur ngërdheshëse nga sekretarja dhe nga dy studentë të brezit më lartë që ndodheshin aty. Kjo më ndodhi sepse po vija nga një shkollë e ngritur sipas sistemit të meritokracisë amerikane. Falë kësaj edukate, fatmirësisht e kuptova shpejt se po humbja dy vlera, kohën dhe praktikën. Prandaj e barazpeshova kohën për kapitalin. Vendosa ta ngadalësoj duke e marrë më shtruar procesin e investimit akademik duke mos u shkëputur asnjë sekondë prej tij dhe të investoja edhe në një grumbullim kapitali intelektual dhe ekonomik nga aspekti praktik.

Personalisht mendoj se arsimi i lartë publik në vendin tonë është një mbingarkesë teorike e cila jo vetëm se nuk të jep mundësinë t’i marrësh dijet praktike por edhe të pengon ta realizosh këtë. Të pengon duke të të nëpërkëmbur dhe duke të të marrë kohën pa të dhënë atë që kërkon. Të shkon gjithë dita në kafe sepse oraret janë lëmsh, janë me distancë të gjatë kohore që mund të të zënë gjithë ditën, pedagogët (nuk i përgjithësoj), mund të të sjellin vërdallë për t’i kapur e për t’i ndjekur në orët e mësimit dhe me plot bindje them se mungon shkenca dhe debati intelektual.

Ndihem i keqardhur që në këtë trajtim po them gjëra që mund të krijojnë polemika por që mendoj se janë absolutisht të vërteta, mjafton t’i vëzhgoni.

Po ju marr një shembull nga jeta dhe mentaliteti i një studenti sot (prapë pa e përgjithësuar):

Të gjithë maturantët, të shkëlqyer, eksellentë, të mesëm e të dobët por të guximshëm zgjedhin në preferencat e tyre degët më të mira pa e ditur realisht se ku mund t’i përdorin ato. Më pas kur nuk fitojnë, shumë prej tyre të shtyrë nga shoqëria janë të gatshëm të shkojnë edhe për degë pa pikë interesi e kërkese në tregun vendas vetëm e vetëm që të thonë se kanë një shkollë të lartë. Kjo është një kategori.

Kategoria tjetër janë të diplomuarit që kur përballen me tregun vendas shikojnë se kanë një mangësi totale në prakticitet dhe në vënien në zbatim të dijeve personale. Shumë prej tyre kuptojnë se kanë një ngërç praktik dhe një mbingarkesë teorike të tepërt në lëndën që kanë përfunduar. Dhe ajo që është më e keqja të gjithë vijnë me tituj dhe kërkojnë të punësohen si titullarë. Më të mençurit pranojnë të futen si ushtarë për t’u bërë gjeneralë dhe në fund e kuptojnë se nga letrat kanë marrë shumë pak por deri atëherë kanë shpëtuar.

Kemi një mbipopullim juristësh, ekonomistësh, politikanësh, etj., dhe shumëpak profesionistë, shumë pak hidraulikë, elektriçist, etj. etj. Vetëm po marrim dhe asgjë nuk po japim.

Dy pyetjet bazë që shoqëria jonë bën janë: Çfarë ke mbaruar dhe ku ke mbaruar? Ndërkohë që unë mendoj se pyetja bazë që tregu në të vërtetë bën është: ÇFARË DI TË BËSH??? dhe kjo të shoqërohet me përgjigjen se nuk më intereson SI DI TA BËSH, THJESHTË BËJE!!! Pra që në përballjen e parë t’i je i vënë në sprovë. Ti je nxënësi dhe jo profesionisti dhe këtu gjërat diferencohen. Sepse në tregun e meritokracisë ti nuk nëpërkëmbesh por diferencohesh në bazë të kapitalit që ke ditur të investosh duke e grumbulluar dhe rezervuar dhe duke ditur ta japësh atë që ke marrë.

Si konkluzion, mendoj se ajo që të gjithë ne duhet të bëjmë është të dijmë se ku po investojmë dhe se si të investojmë për jetën tonë. Jeta është investim dhe asnjëherë rehatim, këtë duhet ta mbajmë mend mirë. Morgan, Rockefeller, Jobs, Gates, etj., janë përpjekur të na e thonë këtë.

Gjithësecili prej nesh e ka shansin të jetë i suksesshëm dhe e meriton të jetë i sukssesshëm por për të arritur këtë duhet të dijë të mbajë në disbalancë dy anët e Kapitalit, duke i dhënë rëndësinë që duhet atij INTELEKTUAL dhe atij EKONOMIK. I pari do të sjellë të dytin, të dyja bashkë do të të sjellin perandorinë. Kështu e kam lexuar unë vizionin që ka dashur të shprehë luani i politikës britanike i cili për hir të së vërtetës edhe ai nuk e mësoi këtë nga universiteti por nga të diturit e të investuarit në mënyrën e saktë në kapitalin e tij intelektual.

Të mësosh kurrë nuk është vonë… asnjëherë nuk do të jetë vonë. Thuaji vetes MOS MË NËPËRKËMB dhe NUK DO TË TË NËPËRKËMB!!! Merr atë që jep. Investo në formimin tënd intelektual dhe qartësoja vetes se ku do ta investosh atë. Merr shumë, absolutisht shumë, personalisht, në një botë konkurence të fortë globaliste, në një botë të mbingarkuar nga gjuhët dhe informacioni unë preferoj më mirë të vdes nga mbingarkesa sesa nga injoranca, ndaj zgjidh çfarë kërkon të marrësh duke ditur dhe planifikuar gjithmonë se ku do ta japësh nesër. Investoni në Dije dhe jo në letra. Vetëm kështu nesër shoqëria jonë do të jetë më e mirë. Shteti nuk na e ofron këtë, jemi ne që duhet t’i ofrohemi atij. Sepse Shteti jemi Ne.

Fation Nikolla,
Institucioni Arsimor Profesional “Time Center”,
Tiranë, 24 Tetor 2016.