Një herë… (Ese)

“Ajo që bëjmë në jetë, jehon në përjetësi”,
Maksimus, nga “Gladiatori”.

Çfarë kuptimi ka jeta kur ne mund ta dimë fundin e saj? Një pyetje që të bën të mendosh dhe jo pak herë ta mbush kokën plot mendime. Mendime që mund të të çojnë në rrugë pesimiste për fatkeqët dhe në rrugë optimiste për guximtarët.

“Në fakt njeriu është aq injorant sa nuk di as ditën se kur do të vdesë”, – thotë një prej dishepujve të letërsisë botërore. Por përveçse injorantë, ne jemi të çuditshëm, përtojmë të lexojmë. Ne e dimë se cili është fundi por nuk e dimë se kur na është përcaktuar ai. Një formulë shumë e saktë që na bën të dalim në një përfundim. Nuk jemi kot!

Edhe pse ndonjëherë mund të më ketë ndodhur të has ndonjë prizëm pesimist të këtij përfundimi shpesh dhe më së shumti më ka pëlqyer dhe vazhdon të më pëlqejë ta shikoj atë në prizmin optimist. Madje ky këndvështrim më kënaq. Më bën të ndihem i vlefshëm, i motivuar. Më pëlqen ta shikoj jetën si mision, si udhëtim. Ose më saktë më pëlqen ta shikoj atë në prizmin e detyrimit.

Dhe jo pak herë librat kanë qenë receta dietike që më kanë ndihmuar për këtë.

Besoj se jeta është një detyrim. Është një mision dhe ti je i zgjedhuri që të është ngarkuar diçka.

Të gjithë jemi udhëtarë që kemi një mision. Të gjithë jetojmë, besojmë, guxojmë, dashurojmë, urrejmë, (edhe pse kjo nuk na bën mirë sepse të humburit nga kjo jemi vetëm ne), luajmë, gëzojmë, festojmë, punojmë, hidhërohemi, zhgënjehemi, tradhëtojmë dhe tradhëtohemi, në fund pavarësisht në kemi mëkatuar, jemi penduar, ne të gjithë do të lëmë një vepër. Besoj se më i fituari nga ne do të jetë ai që do të lërë veprën për përjetësinë. Një vepër e tillë që nëpërmjet kujtesës në breza do të na risjellë jo njëherë por disa herë në jetë.

Prandaj na është dhuruar jeta. Për të ndërtuar diçka. Ashtu siç prindërit tanë mbollën dhe shijuam ne, sot duhet të mbjellim ne që të gëzojnë, fëmijët tanë.

Mjafton të guxojmë! Mund të ndodhë që për këtë të mos na nevojitet vetëm njëherë por ne nuk duhet të ndalemi… Duhet ta provojmë!!!

Më kujtohet se një herë në adoleshencë lexova, dhe më pas iu riktheva disa herë, një Trilogjie nga shkrimtari i shquar amerikan Teodor Drajzer për jetën e manjatit të tramvajeve Çarls Jerks i personifikuar në këtë Trilogji me personazhin e Frenk Alxhernon Kauperudit. Bëhet fjalë pikërisht për kryeveprën e famshme “Trilogjia e dëshirave” e zbërthyer në tre libra: “Financieri”, “Titani” dhe “Stoiku”.

Në fund të librit të dytë kishte një pasazh që më ka nga ngelur gjatë në mendjen time dhe më ka ndihmuar jo pak herë në formimin tim si udhëtar.

Ai është një pasazh që e përthitha për herë të parë në orët e para të mëngjesit, pasi e kisha kaluar gjithë natën pa e vënë re me leximin e librit dhe historisë së mrekullueshme të Titanit Kauperud. Më lejoni që sot këtë pasazh ta ndaj me ju:

“Në errësirën e së panjohurës piqen embrione të pafundme hidhërimesh… dhe të pafundme gëzimesh. A mund ta hedhësh vështrimin drejt diellit që lind?
Atëhere, gëzoju! Në fund të fundit, edhe po të vërboi – njëlloj është – gëzoju!
Sepse ke jetuar!”

“Titani” – Teodor Drajzer.

Pra, ajo që dua të them është se nga librat mund të mësojmë shumë. Gjithashtu po nëpërmjet tyre mund të jetojmë shumë.

Ne lindim vetëm një herë, jetojmë vetëm një herë dhe do të vdesim vetëm një herë, dhe e gjitha kjo vetëm në kuptimin biologjik. Sepse pikërisht atëherë kur e kuptuam se kjo njëherë nuk na mjaftonte për të bërë ballë përplasjen me dallgët e jetës, ne, njerëzit krijuam librat. Rregjistruam jetët e të tjerëve dhe i dhamë vetes një tjetër mundësi. Falë tyre ne mësuam se mund të jetonim disa herë në disa jetë të ndryshme.

“Fiseve të dënuara me Njëqind Vjet Vetmi nuk iu jepet më asnjë shans i dytë mbi tokë” – thotë shkrimtari im i preferuar Gabriel Garcia Markez, por me tërë respektin ndaj tij, unë besoj se kjo ndodh vetëm për fiset Makondase, sepse unë besoj se njerëzit do të kenë gjithmonë një shans të dytë për të jetuar dhe një histori të bukur për të lexuar. Këtë na e mëson po vetë autori i kësaj fraze, i cili po në të njëjtën histori na jep këshillën e famshme: Botës do t’i vijë fundi pikërisht atë ditë kur njerëzia do të udhëtojë në klasë të parë, ndërsa letërsia në vagonin e mallrave.

Pra edhe vetë Gabo na e jep edhe një herë një mundësi përderisa ai e ktheu Makondon në një histori të gdhendur në gërma.

Më pëlqen të besoj se gjithmonë na jepet një shans i dytë në tokë. Madje jo vetëm i dytë, i tretë, i katërt, i pestë, i njëqindtë, ashtu siç iu dha dhe Makondasve. Iu dhanë Njëqind Vjet dhe pastaj vdiqën sepse nuk ditën të përfitonin prej tyre. U rikthyen disa herë në një pikë duke kërkuar gjithmonë të kishin edhe një herë. Të ishin edhe një herë… Pavarësisht gjithçkaje ata e provuan dhe nuk dolën dhe aq të humbur. Fituan përjetësinë, na fituan ne, që e lexojmë dhe e dashurojmë historinë e tyre.

Prej tyre ne marrim një mësim:

Që të kesh mundësinë të përfitosh shansin e dytë duhet më parë të kesh guxuar me të parin. Mirë a keq duhet të kesh bërë përpjekjen tënde maksimale për të realizuar më të mirën prej tij, nuk ka rëndësi edhe po të kesh dështuar, mjafton që ti kur të thuash ta kisha dhe një herë, të më jepej dhe një herë, të isha dhe një herë, të dish dhe të jesh i aftë që këtë herë do të jesh më lartë dhe më mirë se ajo që bëre herën e parë.

Të mësosh kurrë nuk është vonë…

Mos u dorëzo kurrë duke kërkuar edhe një herë, sepse jeta jetohet vetëm një herë dhe shansi të vjen vetëm një herë…

Edhe po nuk të erdhi, nuk prish punë, kërkoje edhe një herë…

Fation Nikolla,
Institucioni Arsimor Profesional “Time Center”,
Tiranë, 20 Prill 2016.