Quo Vadis? (Vëzhgim)

KU PO SHKOJMË O ‘AKADEMIKË’ SHQIPTARË!!!

Mbi debatin për Akademinë e Shkencave…

Një ulërimë shpirtërore për ushqim akademik…

Një debat i ashpër publik po zhvillohet kohët e fundit mbi atë që po ndodh me Institucionin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Në fakt dhe fatkeqësisht, për mendimin personal, si lexues i thjeshtë, guxoj të them se është një Institucion në hije që shyqyr Zotit që ndodhin debate të tilla që na e rikthejnë në vëmendje dhe që mund të tërheqin pak arsyen e lexuesit të thjeshtë jo akademik duke na kujtuar që po, paskemi edhe ne një Akademi Shkencash.

Si fans i leximit, e kam ndjekur në distancë debatin dhe problematikën e tij. Nuk do të dëshiroja të bëhesha pjesë e këtij debati për faktin e vetëm sepse me tërë respektin ndaj modestisë mendoj se vitet e pjekurisë sime intelektuale janë akoma shumë të reja përpara një eksperience vitesh intelektuale që mund të kenë personat e angazhuar në këtë debat. Deri diku jam shumë dakort me një pjesë thelbësore të problematikës që ngre Profesor Artan Fuga. Për të mos krijuar paragjykime të parakohshme më duhet t’iu vë në dijeni se personalisht nuk kam pasur fatin të njoh asnjë nga të nderuarit pjesëmarrës në debat por i njoh ata thjeshtë si lexues.

Gjithashtu si respekt ndaj lexuesit vë në dijeni se nuk jam anëtar i Akademisë së Shkencave dhe as nuk kam ndonjë lidhje personale me të apo anëtarët e saj të nderuar. Megjithëse jo të gjithë i njoh se kush janë.

Kam mëse një dekadë që kam një përvojë në fushën e arsimit për shkak të detyrave dhe punës që më ka lidhur me të. Aktualisht punoj në një Institucion Arsimor dhe pozicioni i punës më bën të jem në një kontakt të përditshëm me fushën e arsimit. Në këtë mënyrë si një vëzhgues i thjeshtë shikoj problematikat që po e rrënojnë për ditë e më shumë këtë sistem.

Ajo që dëshiroj të ngre në këtë shkrim nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me debatin për Akademinë e Shkencave por mendoj se është pashmangshmërisht e lidhur me të.

Më lejoni ta nis ngritjen e problemi tim me disa shembuj nga realiteti:

“Profesor, unë klasën e parë dhe të dytë do ta bëj në Shqipëri. Kur të rritem unë nuk do të rri më në Shqipëri por do të iki në Amerikë.” – më tha dje një nxënës i Programit të Studimit PasShkollor në Institucionin ku unë punoj. Aktualisht ky nxënës ndjek studimet në klasën e dytë fillore në një nga shkollat e kryeqytetit.

Nuk guxova ta pyes përse… por u trondita!!! Ashtu siç vërtet duhet të tronditet çdo prind e qytetar me sadopak vetëdije intelektuale i këtij vendi. Ku po shkojmë thashë me vete. Çfarë po përgatisim për nesër???

Kjo ndodhi dje. Sot në mëngjes kur erdha në punë sa hapa telefonin për t’u njohur me lajmet e ditës dhe syri më zuri një lajm tjetër më tronditës. Një ngjarje e ndodhur në një nga shkollat e vendit ku mësuesja i kishte dhënë një nxënëseje të klasës së dytë një detyrë me temë “Shkruaj për Skënderbeun” dhe nxënësja që shkruan për ekipin e futbollit korçar që u shpall kampion dhe jo për Heroin Kombëtar të Shqiptarëve.

Tronditjet vazhdojnë. Akademikët e Malit të Zi fyejnë hapur shqiptarët. Ka disa ditë që është denoncuar ky problem dhe asnjë akademik i nderuar i yni nuk e ka hapur gojën.

Dhe për ata pseudointelektualë apo njerëz që mendojnë se akademik do të thotë të qendrosh në majën e olimpit duke harruar njerëzit në tokë i kujtoj se dhe zotat e olimpit qëndronin në majë por zbrisnin herë pas here në tokë për të rregulluar punët e shoqërisë tokësore.

Siç thashë bie dakort me Profesor Artan Fugën për faktin që kjo Akademi është totalisht në hije. Gjithashtu bie edhe shumë dakort me shkrimtarin e nderuar të letrave tona z. Dritëro Agolli dhe me të gjithë ata intelektualë që janë kundër mbylljes së Akademisë së Shkencave. EDHE PËRSE S’MË PYET NJERI, EDHE UNË JAM KUNDËR! JO ZOTËRINJ, AKADEMIA E SHKENCAVE DUHET ZGJUAR NGA GJUMI DHE DUHET ZBRITUR ME KËMBË NË TOKË PËR TË QENË NË KRYE TË PROBLEMEVE TË REALITETIT. E VËRTETA ËSHTË SE DUKE SHKËPUTUR LIDHJET ME REALITETIN KANË IKUR SHUMË LARG TIJ DUKE U IZOLUAR NË NJË HAPËSIRË PA DREJTIM. ZËRE SE NUK JANË. DUHET T’I TËRHEQIM PËR T’I ZBRITUR ME KËMBË NË TOKË. NUK KEMI Ç’TË MBYLLIM KUR NUK EKZISTON MIDIS NESH.

Ju do të thoni çfarë po kërkoj unë?

Ju thashë nuk jam Akademik, vazhdoj studimet e larta, kam një pozicion pune që më lidh prej më shumë se një dekadë me problematikat e arsimit dhe jam një i apasionuar pas leximit. Më kryesorja jam një Shqiptar taksapagues që e dashuroj vendin tim dhe mendoj se kam të gjithë të drejtën e Zotit që të kërkoj më të mirën për vendin tim. Mendoj se Akademik nuk të bëjnë letrat, as çertifikatat zotërinj, por dija dhe studimet.

Pa u bërë i bezdisshëm, si një qytetar tokësor i këtij vendi po e shtjelloj problemin tim nëpërmjet disa pyetjeve që do ta sqaronin më së miri thelbin e asaj që kërkoj të shpreh.

1. Çfarë është Akademia e Shkencave?

Më thoni ju lutem sa shqiptarë duke filluar nga mosha maturante e deri në moshën e pjekurisë së plotë intelektuale mendoni ju se kanë dijeni se çfarë është sot Akademia e Shkencave? Më tërë respektin dhe nqse do t’i pyesnit, shumë prej tyre mendojnë se është një Institucion që ndodhet diku andej nga “rruga e Elbasanit”, ku janë disa pleq të vjetër që mblidhen me punët e tyre. E di që shumëkush mund të më ironizojë. Por fatkeqësisht ky është realiteti. Zbrisni nga maja ku jeni izoluar dhe dëgjojeni e shikojeni me veshët e sytë tuaj. Prekeni realitetin.

A është Akademia jonë e Shkencave një Institucion i frymëzuar në stilin e doktrinës “Humboltiane”? A ka bërë ajo një ndarje midis Dijes dhe Shkencës?

Me përjashtim të raporteve vjetore, më thoni ju lutem çfarë ka bërë Akademia e Shkencave për të prezantuar veten tek gjeneratat e brezit të ri. Marr guximin të them me plotë gojën: Asgjë! Ekziston vetëm një site elektronik i cili është jo i plotë dhe vetëm me linqe që të lidhin me Institucionet jashtë.

A ka bërë Akademia jonë ndonjë konkurs për të promovuar veten përpara studentëve, përpara atyre që kërkojnë të njihen me të? Për aq sa e kam ndjekur në dijeninë time asgjë. A i ka motivuar dhe nxitur ajo të rinjtë për t’u bërë pjesë e promovimit të saj?

Duke qenë se personalisht jam i bindur se Shkencë nuk ka bërë, guxoi të pyes a ka nxitur Dije?

A ka bërë Akademia e Shkencave botime sipas grupmoshës për njerëzit e shquar të vendit tonë me përjashtim të atyre që kanë bërë brezat e mëpërpashëm? A e kanë lodhur kokën akademikët tanë të bëjnë studim për të promovuar tek të rinjtë e moshave të ndryshme heronjtë tanë, kulturën tonë, qytetërimin tonë. E nëpërmjet tyre dhe vetveten e saj? Dhe nqse po a i ka promovuar ky Institucion ato tek të rinjtë?

A e dini të Nderuar që nxënësit tanë, gjimnazistët madje edhe një pjesë e studentëve nuk kanë asnjë informacion për elementet tona historike.

A e dini që shumë prej tyre nuk njohin ku lindi e nga ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pyetini e shumica do të thonë nga Kruja, më të zgjuarit nga Shqipëria. A e dini që nqse do të pyesësh nxënësit e fillores do të të thonë që Donika ishte motra e Skënderbeut e shumëkush prej tyre nuk e dinë që ai kishte një motër me emrin Mamicë dhe se Gjon Kastrioti kishte nëntë fëmijë. A e dini që shumë prej tyre mendojnë se Gjergj Elez Alia ishte shoku i Skënderbeut? Dhe më e tmerrshmja a e dini që shumë që po ndjekin studimet në disa shkolla private po mësohen që Skënderbeu ishte tradhëtar. Tradhëtoi ato që i rriti. Po ju marr Skënderbeun si shembull sepse nuk guxoj t’iu them se askush nuk njeh Teutën, Gentin, Pirron, Glaukun, etj. etj. Dhe e dini përse, jo se nuk lexojnë por sepse ju nuk keni bërë asgjë për t’ua sjellur atyre këto në një mënyrë të ëmbël për t’i lexuar. Po e ripërsëris pyetjen, më thoni pak, sa nga Ju të nderuar akademikë e ka lodhur kokën për të botuar një seri librash për t’i prezantuar këta heronj tek fëmijët në varësi të moshave. Sa nga ju e kanë lodhur kokën të nxisin dokumentare apo filma për fëmijë për t’ua motivuar këtë. Me keqardhje e them ju si Institucion nuk e keni bërë.

Pyetini maturantët qoftë edhe studentët për profesorin e nderuar Aleks Buda, për mjekun e nderuar Shefqet Ndroqi, për përkthyesin e njohur Vedat Kokona, për personazhet që janë kthyer në emra Institucionesh e shumë pak do t’iu japin një informacion të saktë e të bollshëm për to. I njohin vallë? Pyetini, zbrisni në tokë!

Për ironikët e largpamësit thjesht po ju kujtoj se kemi mes nesh drejtues që bëjnë gafa absurde për historinë tonë. Mjafton t’iu kujtoj që pati prej tyre që nuk ditën se prej njëqind vjetësh Plaku i Vlorës prehet në Shqipëri, pati dhe ka prej tyre që mendojnë se Ismail Qemali zgjodhi Vlorën për të ngritur Flamurin se ishte nga Vlora dhe e thonë këtë me aq siguri sa çdokush e beson.

2. Ku është Akademia e Shkencave?

A e dini se po rrisim një gjeneratë që nuk ka as dëshirën më të vogël për të lexuar. A e dini se kjo gjeneratë më shumë njeh Ertugrulin, Sulejmanin e Madhërishën, Kuzeyn e Guneyn, Bidain, etj., se sa heronjtë tanë? A ju ka shqetësuar kjo. Me keqardhje ju them por mendoj se jo.

A e dini se çfarë paçavuresh lexon në tekstet tona shkollore? Sigurisht nuk besoj se i keni bërë ju, (do të ishte fatale për vetëvrasjen tuaj), por me shumë vetëdije besoj se nuk i keni kontrrolluar ju.

Ku jeni ju Akademikë në problemet e Urbanistikës, në problemet e debatit intelektual të jetesës në zonat urbane? Ku ishit ju kur kolegu juaj Profesor Fuga debatoi ashpër me Kryeministrin për problemet e punësimit? Ku jeni ju kur shqiptarët po ikin sepse janë më pesimistë se pesimistët. A e dini sa familjarë, madje edhe me fise po studiojnë gjuhën Gjermane sepse po kërkojnë punësim në Gjermani, e mos mendoni se janë njerëz pa formim intelektual por janë mjekë, mekanikë, inxhinierë, etj. etj.

A e keni ngritur ju zërin e arsyes për këtë? A e dini se fshatra të tërë po studiojnë si të marrë gjuhën bullgare për të marrë nënshtetësinë e për të ikur nga ky vend? Ku jeni ju? Asnjë faj nuk ka politika. Ku është zëri i intelektualit që duhet të ulërasë për të mbajtur nën kontrroll atë?

A ka bërë Akademia e Shkencave botime për të na njohur me sistemet tona që kemi eksperimentuar këto njëqind vjet. A keni bërë ju Institucion i nderuar një shpjegim të thjeshtë për qytetarin më të thjeshtë se çfarë është taksa e sheshtë, çfarë është taksa progresive, çfarë është sistemi kapitalist? Çfarë janë vlerat dhe antivlerat?

E pra ky Institucion nuk ka bërë asgjë.

Janë shumë Profesorë të nderuar, studentë të pasionuar që po bëjnë botime por ju si Institucion nuk po bëni asgjë. Ja pra përse ju them se duhet të zbrisni në tokë.

Me tërë respektin them se janë Profesorë të nderuar si Ardian Civici i cili me botimet e tij po na mëson më shumë për kokat e mendimit ekonomik dhe sistemin kapitalist se sa e keni bërë ju gjithë këtë kohë.

A e dini se një në dy postime në mediat tona virtuale është seks, pornografi, vrasje, therrje, horror, erotizëm. Ku jeni ju? Ku është ushtria e intelektualëve që duhet t’i bëjë ballë kësaj ushtrie imoraliteti që ka zaptuar postimet në rrjetet mediatike. Ja pra ju them, nuk keni bërë e nuk po bëni asgjë.

3. Çfarë po bën për vendin tim Akademia e Shkencave?

Më thoni ju lutem a po shikoni se çfarë ndodh në Maqedoni. Hapini sytë se ka midis studentëve tanë që shkojnë e bëjnë selfie tek “rrënojat disavjeçare romake” të ngritura në qendër të Shkupit. Ik shikojini se çfarë shkruhet tek bustet. Personazhe të historisë sonë, dalin sllavë. A e dini se na quajnë të zbritur? Çfarë keni bërë ju? Asgjë.

Më thoni ju lutem çfarë po bëni ju kur një intelektual a politikan anglez na thotë se nuk e meritonkemi europën. Se qenkemi kriminelë e vrasës?

Përse nuk po e mbroni ju me të madhe Identitetin tonë Europian?

Ku ishit ju kur shumë media botërore na akuzuan si vend me mentalitet terrorist gjatë vizitës së Papa Franceskut? Institucioni juaj ishte në gjumë.

Ngjarja më e fundit, ku është Akadamia jonë e Shkencave kur homologia e saj në Malin e Zi po na fyen hapur.

Çfarë po bëni ju për të nxitur aderimin tonë në Europë jo si lypës, por sepse e meritojmë. E meritojmë se e mbrojtëm identitetin e këtij kontinenti me Gjergj Kastrioti Skënderbeun, i mësuam kontinentit t’i fliste shqip fjalët e Servantesit e Shekspirit të madh me Fan Nolin. Po e nderojmë kulturën dhe identitetin tonë europian me Ermonela Jahon, me Saimir Pirgun, e shumë e shumë të tjerë. I kemi dhënë këtij kontinenti Ismail Kadarenë. Po na e nderon e gjithë bota.

Ku jeni ju kur truri më i mirë i studentëve tanë po ikën. Po kërkojnë shkollat më të mira të dijes në botë sepse ne nuk po i bindim.

Ju lutem akademikë, më lejoni t’iu rrëfej se unë kam një ëndërr. Kam një Ëndërr që një ditë gjenerata e brezave europiane të thonë kemi studiuar në Shqipëri dhe gjeneratat tona të mos ndihen inferiore por krenarë.

Unë kam një nip, nuk kam akoma fëmijë, dhe me plot seriozitet ju them se ëndërroj që ai të studioj jashtë. Fatkeqësisht shkaktar për këtë nuk është politika por heshtja juaj akademike.

Së fundi për ta mbyllur se mbase ju lodha, më lejoni t’iu drejtoj vetëm një pyetje. Quo Vadis? Nëqoftëse përballë këtij realiteti shfrenimesh e promovimesh antivlerash kjo pyetje ju ngjan romantike, me keq ardhje por nuk dua ta lexoni si të tillë. Dëshiroj ta lexoni qartë e shqip. Ta lexoni si një ulërimë shpirtërore, si një nevojë për ushqim të vërtetë vlerash intelektuale.

KU PO SHKOJMË O ‘AKADEMIKË’ SHQIPTARË!!!

Mbetem në pritje të një përgjigjeje të sinqertë nga ana juaj,
gjithmonë nëqoftëse ulërima ime do të arrij deri atje lart tek ju…

Zbrisni në tokë, prekni realitetin… 

Miqësisht,
Fation Nikolla,
Institucioni Arsimor Profesional “Time Center”,
Tiranë, 19 Maj 2016.